Friday , April 3 2020
Home / Lajme / Kosove / Këto janë disa nga vendimet e kryeministrit në dorëheqje që i mori gjatë 50 ditëve në detyrë

Këto janë disa nga vendimet e kryeministrit në dorëheqje që i mori gjatë 50 ditëve në detyrë

Kuvendi i Kosovës mbrëmë rrëzoi Qeverinë Kurti, me 82 vota
pro, qeveri kjo që pati vetëm 50 ditë pune.

Por për këto 50 ditë sa funksionoi, Qeveria Kurti nxori një
mori vendimesh, të cilat i përmendi në seancë, tashmë kryeministri në
dorëheqje, Albin Kurti.

“Qeveria e re e Republikës së Kosovës sot ndodhet në ditën e
50 të punës së saj. Pra, sot mbushen 50 ditë prej se kemi filluar detyrën
zyrtarisht. Të gjithë e pamë se si, jo vetëm që nuk i kishim 100 ditë për të
dëshmuar veten, por nuk i patëm as 100 orë. 
Sot, 50 ditë më vonë, mund të them se jam krenar me këtë kabinet
qeveritar dhe me të arriturat e tij”, tha Kurti.

Shefi i Qeverisë në dorëheqje përmendi këto vendime:

Qysh në fillim i përgjysmuam pagat e Kryeministrit,
zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave dhe stafit të tyre, por
jo edhe pagat në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Dëshiruam
të tregojmë se çka konsiderojmë vlerë dhe të sjellim etikë në politikë.

I shkarkuam 7 Koordinatorët Nacional të panevojshëm që ishin
barrë edhe për buxhet edhe për funksionim.

U emërua Komiteti për Partneritet Publiko-Privat, në
përbërje të 5 ministrave.

U aprovua mbështetja financiare për evitimin e dëmeve nga
fatkeqësia natyrore e stuhisë së fuqishme në komunën e Pejës dhe Istogut. Sipas
raportit të komisionit, dëmet arrijnë shumën prej mbi 433 mijë euro.

U shkarkua Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike Qendrore
“Telekomi i Kosovës” Sh.A.

U shfuqizua vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për
pagat e ish-ministrave e ish-zëvendësministrave pasi ata përfundojnë mandatin.

U aprovua kërkesa e Ministrisë së Financave dhe Transfereve
për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 200 mijë euro si mbështetje
financiare për Republikën e Shqipërisë, për qëllim të ndihmës në sanimin e
dëmeve nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, si shtesë e shumë ndihmave të
mëhershme edhe materiale edhe të tjera që ia kemi dërguar Republikës së
Shqipërisë.

U shkarkua Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike Qendrore
“Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A.

U shfuqizua Vendimi i Qeverisë për aprovimin e Koncept
Dokumentit për ndryshimin e politikave fiskale dhe bujqësore për prodhimin e
duhanit dhe cigareve në Kosovë, ku ju bëhen me lidhje të shkurtë favore
këshilltarëve.

U ndanë mjete financiare në shumë prej 400 mijë euro për Ministrinë e Shëndetësisë për parandalimin e situatave të mundshme emergjente për epidemi. Më vonë kemi ndarë buxhet prej 10 milionë euro për luftimin e përhapjes së pandemisë të Virusit Corona.

U aprovua propozimi i Ministrisë së Drejtësisë, për
themelimin e Grupit të ekspertëve të pavarur për të dizajnuar parimet
udhëheqëse, skenarët dhe elementet e reformës së Vettingut në sistemin e drejtësisë,
që përbëhet nga 10 profesionistë.

U shkarkuan drejtorët e Bordit Mbikëqyrës të Ndërmarrjes
Publike Qendrore “Trepça” Sh.A.

Ai tha se ministrat kanë bërë po ashtu punë të palodhur e të
madhe, duke i përmendur disa prej vendimeve që ata i morën:

Shfuqizimi i vendimeve të emërimeve të 14 konsujve të kotë
nëpër botë, të cilëve ua kemi mundësuar riatdhesimin.

Anulimi i tenderit 110 milionësh i autostradës
Prishtinë-Gjilan i shpallur pa miratim buxhetor.

Anulimi i ndërtimit të lagjes pranë liqenit të Badovcit.

Ministria e Integrimit Evropian do të kursejë 330.000 euro
çdo vit pasi që është zhvendosur në objektin e Qeverisë së Kosovës dhe kështu
nuk do të paguajë qira dhe shpenzime komunale koti nga buxheti i taksapaguesve.

U nënshkrua marrëveshja me Bankën Botërore për të mbështetur
Kosovën me grant prej 2.785.000 dollarë.

U anuluan tri vendime të ish-ministres së Integrimit
Evropian, duke kursyer kështu rreth 400 mijë euro.

Me 6 mars u aprovua Programi Qeverisës i Republikës së
Kosovës për vitet 2020 – 2023.

U anulua vendimi i Qeverisë së kaluar ku kompanisë
“Bechtel-Enka” do t’i kalonin 50 milionë euro. Ka nevojë për kyçje e mbikalim
në autostradën e mbyllur, por jo 50 milionë euro. Mundet ndryshe, mundet më
mirë e më lirë sigurisht.

Pas shkarkimit të tyre të mëhershëm, i emëruam bordet e
përkohshme në Telekomin e Kosovës dhe Ndërmarrjen “Trepça” Sh.A. Këto dy borde
të përkohshme, sipas ligjit për Ndërmarrjet Publike, do të jenë në funksion
deri në ardhjen e bordit të ri.

Në listën e sanksioneve të OKB-së e BE-së ndodhet një
kompani e cila ka eksportuar drejt vendit tonë, dhe ku tash e tri javë u mbajt
në Doganën e Kosovës. Kompanisë “Sabalan Company – Iran” e cila figuron si
entitet nën sanksione si kompani mbulesë e një kompanie tjetër, me vendim
unanim të Qeverisë së Republikës së Kosovës iu vendosen sanksione edhe për
vendin tonë.

U aprovua Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e
Republikës së Kosovës për vitin 2020, projektligj i cili u votua me 14 mars
këtu në Kuvend. Qeveria jonë ka trashëguar një masë të konsiderueshme të
obligimeve të papaguara nga Qeveria e mëhershme dhe nga komunat, një borxh të
gjithmbarshëm në vlerë 328 milionë euro.

Rruga Prishtinë-Mitrovicë, e njohur si N2, do të bëhet. Si
hap të rëndësishëm kemi miratuar shpronësimet e pronave të paluajtshme në
segmentin Gojbulë-Smerkovnicë, gjë që do të përfundojë zgjerimin e kësaj rruge
e cila ka filluar para rrugës së kombit “Ibrahim Rugova”, por ende s’u
përfundua.

U themelua Komiteti Drejtues i Projektit të Asistencës
Teknike “Energjia nga Linjiti”.

Është miratuar vendimin me të cilin i kërkohet Agjencisë
Kosovare të Privatizimit që të pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha
veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme nga “Lista e Aseteve për Qiradhënie
me karakter specifik e azhurnuar”, e shpallur më 5 mars 2020.

“Më datën 11 mars kemi marrë një seri vendimesh që lidhen me
virusin Korona, të njohur si COVID-19”, tha ai.

Ndërprerjen e procesit edukativo-arsimor në institucionet
arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020, me
rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët
shëndetësor dhe për ata në sektorin e sigurisë)

Kemi bërë ndalimin e hyrje-daljeve në disa komuna, kemi
mbyllur kufijtë e aeroportin.

Kemi themeluar Komisionin e Posaçëm për parandalimin e
infeksionit të virusit Korona, me mua si udhëheqës, me dy
zëvendëskryeministrat, shtatë ministra e dymbëdhjetë profesionistë e ekspertë
të fushës. Këtij Komisioni i shtohen edhe shtatë anëtarë të tjerë, prej tyre
një ministër dhe tre profesionistë, më vonë,

Kemi bërë shpërndarjen e materialeve të domosdoshme nëpër
qendrat mjekësore në të gjitha komunat, përgatitjen e hapësirave në rast nevoje
për izolim, komunikim me mediat e publikun për masat e hapat që i kemi
ndërmarrë,

Kemi shpallur emergjencën për shëndetin publik.

Kemi ndaluar fluturimet në vendin tonë për joshtetasit e
Kosovës, dhe Qendrën e Studentëve në Prishtinë e kemi caktuar si hapësirë
karantine.

Kemi hequr tarifën për importin e lëndës së parë nga Serbia
dhe Bosnjë-Hercegovina deri më 1 prill 2020. Kemi thënë që Qeveria do të
nxjerrë vendimin për të hequr në tërësi tarifën dhe të zëvendësohet me masën e
reciprocitetit, ashtu siç jemi zotuar në fushatë, ashtu siç e kemi pasur në
marrëveshjen e koalicionit qeverisës, ashtu siç e kemi edhe në programin
qeverisës 2020-2023.

Nga dje e kemi ndaluar qarkullimin e qytetarëve dhe
automjeteve në intervalin kohor prej orës 10:00-16:00 dhe prej orës
20:00-06:00.

Në rrugë, gjatë kohës së lejuar ecjet të mos bëhen në më
shumë se dy persona dhe të mbajnë distancën me të tjerët prej 2 metrave.

Kemi ndaluar edhe tubimet publike e private në hapësirat e
hapura e të mbyllura vetëm në rast se duhet të mblidhet patjetër për të luftuar
pandeminë COVID 19.

Kemi bërë dhurimin e dy pensioneve, siç kemi premtuar, të
asistencës sociale prej datës 24 mars, pra prej ditës së djeshme, nga e marta.

The post Këto janë disa nga vendimet e kryeministrit në dorëheqje që i mori gjatë 50 ditëve në detyrë appeared first on Gazeta Express.

Burimi i lajmit: Linku

Check Also

Saliu: Kosova me sukses po përballet me koronavirusin

Alsat 2020-04-02T21:45:30+02:00 Kosova aktualisht mirë po përballet me koronavirusin dhe këtë fal angazhimit të Institucioneve …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *