Friday , July 10 2020
Home / Lajme / Bota / Mjekët rusë ngrenë dyshime mbi shifrat e koronavirusit

Mjekët rusë ngrenë dyshime mbi shifrat e koronavirusit

Presidenti rus Vladimir Putin i ka krahasuar mjekët rusë me ushtarët heroikë të Ushtrisë së Kuqe që luftuan nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Javën e kaluar, udhëheqësi rus nënshkroi dekrete për të nderuar mjekët me medalje të veçanta për përpjekjet e tyre kundër koronavirusit.

Megjithatë, shumë mjekë rusë kanë shprehur zhgënjim për një vlerësim të ulët nga ana e publikut të sakrificave të tyre, dhe shprehin zemërim me qeverisjen, e cila thonë se po i lë në baltë ata dhe pacientët e tyre. Ata vënë në dyshim shifrat zyrtare që qeveria ka paraqitur për rastet e reja të infeksionit dhe numrin e viktimave nga COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi i ri që u shfaq për herë të parë vitin e kaluar në qytetin kinez Wuhan.

Personeli mjekësor i vendit, i mbështetur nga burime të varfra, në përgjithësi nguron të flasë për mungesën e pajisjeve mbrojtëse personale, mungesën e specialistëve dhe për mjediset e mbingarkuara. Gjykata e Lartë e Rusisë ka vendosur se është i paligjshëm diskutimi në publik i “lajmeve të rreme” në lidhje me pandeminë vdekjeprurëse të koronavirusit dhe një veprim i tillë dënohet me deri në pesë vjet burg.

Megjithatë, disa duket se janë të përgatitur të përballen me zemërimin e autoriteteve. Nga i gjithë vendi, dëshmitë e dorës së parë nëpër media i bëjnë jehonë njëra-tjetrës në ankesat dhe përshkrimet e tyre. Në fazat e hershme të pandemisë, disa u përpoqën të ngrinin alarmin për përzierjen nëpër pavionë të pacientëve të dyshuar për COVID-19, me ata që vuanin nga sëmundje të tjera.

Gjithashtu, ata kanë paralajmëruar për një mungesë shkatërrimtare të paisjeve mbrojtëse dhe për masat e pakta të sigurisë që po vërehen në spitale. Një mami nga Ufa, një qytet në rajonin e Vollgës, i shpjegoi kohët e fundit gazetës Novaya Gazeta, një gazetë e pavarur investigative, se një numër i madh i mjekëve po sëmuren. “Mjekët thjesht marrin disa nga ilaçet që kanë dhe vazhdojnë të punojnë sepse nuk ka njeri që të na zëvendësojë,” tha ajo.

Dmitry Belyakov, një pedagog në qytetin Zheleznodorozhny në rajonin e Moskës, hodhi dyshime në të njëjtën gazetë për shifrat zyrtare të koronavirusit, duke thënë se ato janë të rreme dhe se autoritetet po falsifikojnë numrin e vdekjeve. “Nuk besoj në shifrat zyrtare. Nëse një person rezulton pozitiv nga testimi për koronavirusin, por vdes me atak kardiak, nga se vdiq? Mund të regjistrohet në të dyja variantet. Të gjitha të dhënat që kemi mbledhur janë ndërtuar mbi këtë parim [të metë]”, tha ai.

Viktima e parë e regjistruar zyrtarisht në Rusi që ka lidhje me virusin – një grua e moshuar që vdiq më 19 mars – u riklasifikua sikur vdiq nga mpiksja e gjakut.

Sipas autoriteteve ruse, numri i përgjithshëm i infeksioneve në të gjithë vendin është 640’246. Qendra e reagimit ndaj koronavirusit të Rusisë thotë se numri i vdekjeve është 9’152. Zyrtarët rusë thonë se raporti i viktimave ndaj rasteve të konfirmuara është shumë më i ulët se në shumë vende më të përparuara evropiane, sepse gjendja e gatishmërisë së vendit është tashmë e lartë. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov thotë se Rusia ka arritur të ruajë një numër të ulët viktimash, sepse u morën herët vendime të vështira për masat izoluese dhe vendi ndërtoi me shpejtësi objekte të reja për të shtuar shtretër spitalorë shtesë.

Mjekët paraqesin një pamje tjetër. Dhe ka njoftime për të paktën një mjek të shtyrë në vetëvrasje për shkak të dëshpërimit. Natalya Lebedeva, drejtuese e shërbimeve mjekësore urgjente për Zvyozdny Gorodok, një qytet në rajonin e Moskës, vdiq në prill pasi ra nga dritarja. Zonja Lebedeva ishte shtruar në spital e dyshuar për COVID-19. Gazeta Moskovsky Komsomolets raportoi se kolegët ishin skeptikë për shkakun zyrtar të vdekjes, që e përcakton aksident. Kolegët e saj thonë se ajo kreu vetëvrasje.

Pak njerëz dyshuan se sistemi rus i kujdesit shëndetësor do të mbingarkohej me shfaqjen e koronavirusit. Vitin e kaluar, infermierët, mjekët, stafi i ambulancave, si dhe mjekët e urgjencës në të gjithë Rusinë ngritën gjithnjë e më shumë zërin për gjendjen e përkeqësuar të shërbimit shëndetësor publik, duke organizuar greva dhe duke bashkërenduar një valë dorëheqjesh në më shumë se 20 rajone.

Anastasia Vasilyeva, drejtuese e Aleancës së Mjekëve, u tha gazetarëve në tetor 2019 se sistemi ishte prishur, dhe se grevat nga mjekë profesionistë ishin përhapur nga Siberia në Moskë, me mbështetjen e aleancës së saj, si dhe me mbështetjen e aktivistit kundër korrupsionit Alexei Navalny.

Në Moskë, një ekip i pediatërve onkologë u larguan nga vendet e tyre të punës në njërën nga klinikat më të mira të kancerit në vend, në formë proteste për pavionet e mbipopulluara, uljen e pagave dhe duke kërkuar një “reformë optimizimi”. Ata i thanë Zërit të Amerikës se po ndikonte në aftësinë e tyre për të trajtuar pacientët që janë në gjendje të rënduar. Mjekët në Qendrën Kërkimore të Kancerit “Blokhin” thanë që sistemi nuk po mirëmbahej dhe po keqmenaxhohej.

Në maj, Irina Shikhman, një gazetare e njohur në YouTube, postoi një seri intervistash me mjekë dhe anëtarët e tjerë të stafit mjekësor. Nina Klishina, një infermiere nga Solnechnogorsk, i tha zonjës Shikhman se ndjehej lakuriq kur trajtonte pacientët për shkak të mungesës së paisjeve mbrojtëse.

Çfarë zgjedhje kam? Askush nuk po flet për heroizëm, sikur po vrapojmë t’i shpëtojmë. Është puna jonë. Personi po vdes, nuk mund të bësh shumë, (por) duhet ta ndihmosh. Nuk mund ta lë (pa e ndihmuar)”, tha ajo.

Ajo sqaroi se punonjëses së lavanderisë në spital i kishin dhënë copa garzash për t’i qepur si maska.

Sigurisht, ne nuk i përdorim ato shumë. Por, ato raportohen [si paisje mbrojtëse] në listat e kontrollit“. Ajo dhe të tjerët u ankuan se menaxherët e lartë ishin zhdukur të gjithë, duke shmangur qartazi rrezikun.

Irina Vaskyanina, një mjeke nga qyteti Reutov, përshkroi pajisjet e testimit që iu dhanë, së bashku me mjetet e gabuara për kryerjen e testeve të sekrecioneve të hundës ose të fytit. Testi i saj rezultoi negativ, por ajo shpjegoi se nuk i besonte.

Më thirrën dhe më thanë që rezultova negativ, por nuk e besoj sepse isha shumë e sëmurë. Dy javë me ethe dhe kollë”, tha ajo.

Anastasia Vasilyeva me Aleancën e Mjekëve thotë se drejtuesit në disa spitale po bllokonin furnizimet e paisjeve mbrojtëse të dhuruara nga kjo organizatë.

Ne përpiqemi të shpjegojmë paqësisht, ‘Ne jemi një organizatë bamirëse, i kemi të gjitha dokumentet, kemi marrëveshje dhurimi. Ju lutemi merrini“.

Ajo thotë se u është dashur t’i fusin kontrabandë paisjet mbrojtëse në spitale.

Vladimir Perlukhin, një mjek nga Kletnya në rajonin Bryansk, i tha gazetares Irina Shikhman se mjekët dhe stafi mjekësor janë bërë një nga burimet kryesore për përhapjen e koronavirusit për shkak të mungesës së masave të sigurisë dhe testimit.

Ne jemi të detyruar të heshtim, ata na fyejnë, na bërtasin, duke na detyruar të heshtim. Ne punojmë për qindarka“, tha ai./ Burimi: VOA

Check Also

COVID-19 në Turqi, 22 viktima në 24 orët e fundit

Bota Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al >> KËTU 22 viktima janë regjistruar në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *